NEWS

  • DEKLARATË PËR SHTYP

    MOTO e Edicionit të Njëmbëdhjetë:

    Të gjithë janë të mirëpritur!

     

    Tiranë, më 24 Shtator 2016

     

    Nga data 26 Shtator deri më 1 Tetor 2016 mbahet Edicioni i Njëmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri - IHRFFA (www.ihrffa.net). Tashmë ky Festival është bërë një institucion dhe një ngjarje me rëndësi jo vetëm për qytetin e Tiranës, por ai është pjesë e hartës botërore të festivaleve që kanë në fokus liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Ka shumë Festivale në botë, por janë ende shumë të pakët festivalet që kanë si objekt të tyre të drejtat e njeriut.

     

    Nëse vitin e kaluar Festivali ishte fokusuar tek krimi i organizuar dhe korrupsioni, këtë vit si temë qendrore e tij do të jetë MIGRACIONI. Nga 2.300 filma të ardhur nga e gjithë bota, janë përzgjedhur 45 prej tyre. Kriter parësor i kësaj zgjedhje, ka qenë cilësia e lartë e filmave, problematikat shoqërore që këta filma trajtojnë, të cilat jo rrallë herë, përkojnë me shqetësimet që ka shoqëria jonë sot.

     

    Një risi e veçantë në këtë edicion është edhe zgjerimi i rrjetit të vendeve ku do të shfaqen filmat e përzgjedhur. Përveç Akademisë së Filmit dhe Multimedias MARUBI, si dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Universitetit Polis dhe Universitetit Evropian të Tiranës, filma do të shfaqen edhe në Sallën e Kuvendit të Shqipërisë, në Akademinë e Sigurisë, Qendrën Rinore tek Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë dhe tek instalacioni REJA, pranë Galerisë Kombëtare të Arteve.

     

    Nisur nga problematika dhe interesi i madh i shoqërisë për të mësuar dhe diskutuar rreth kësaj teme, këtë vit i kemi dhënë më shumë hapësirë forumeve dhe diskutimeve me publikun. Përveç forumeve në institucionet e përmendura më sipër, audienca e Festivalit do të ketë mundësinë të diskutojë me regjizorët e filmave pjesëmarrës, të cilët janë ftuar të marrin pjesë në Festival dhe të përfshihen në mënyrë të drejtpërdrejtë në sesionet Pyetje&Përgjigje.

     

    Lidhur me tematikën kryesore të Festivalit dhe rëndësinë e tij, Kryetari i Bordit të IHRFFA-së, Z. Robert Wilton, shprehet se “Migracioni, sikurse filmi, është takim i botës me vetveten. Është një fenomen i pashmangshëm i kohës sonë dhe e vetmja gjë që kemi në dorë është sa pozitivisht reagojmë ndaj tij. Shpresoj që filmat e këtij viti të përcjellin rëndësinë e këtyre çështjeve dhe të nxisin diskutime për krijimin e shoqërive të paanshme dhe të qëndrueshme, të bazuara te rritja gjithëpërfshirëse, transparenca, shteti ligjor dhe të drejtat e njeriut”.

     

    Gjithashtu Z. Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë shprehet se: “Historia e Tiranës dhe e shqiptarëve që kërkuan aty tokën e premtuar është në fakt historia e sa e sa vendeve e qyteteve e popujve. Është një histori e vjetër sa vetë njeriu. E studiuar deri në detaje në aspektin demografik, të sigurisë, ekonomisë, zhvillimit. Por shifrat e teoritë e thata nuk mund të ofrojnë kurrë ato dritare perceptimi që mund të ofrojë arti në sfidat, vështirësitë, dëshirat, frikërat e shpresat e dikujt që ndërmerr hapin e madh, por traumatik të lënies së gjithçkaje ka njohur, për t’u nisur drejt një të ardhmeje që bart në vetvete sa shpresën aq edhe pasigurinë për atë që do të vijë. Vetëm arti ka atë aftësinë unike për të parë detaje, momente e lidhje që shkenca e statistika s’mund të shpresojë kurrë t’i kapë. Për të kapur frymën dhe shpirtin e një kohe”.

    Ndërkohë Presidenti i Nderit të Festivalit, Clark Profesor i bursave për të Drejtat e Njeriut dhe Avokim (2005-2010) Emeritus, Utica College, New York, SHBA, Theodore S. Orlin:  “Njerëzit i kanë kaluar gjithmonë kufijtë shtetërorë, për një sërë arsyesh. Ne nuk mund të harrojmë, pavarësisht sesa e respektojmë sovranitetin e shteteve dhe vendeve tona, se njerëzit kanë lëvizur nëpër vende dhe kontinente për të kërkuar siguri, liri dhe mundësi. Në këtë ekonomi globale mund të parashikojmë se kjo lëvizje nuk do të pushojë”.

     

    Drejtori Ekzekutiv i IHRFFA-së Z. Kujtim Çashku, shprehet se: “Sot, më shumë se kurrë janë vënë në pikëpyetje një sërë vlerash morale dhe etike. Këto vlera lidhen ngushtë me ndjesitë e  SHPRESËS, BESIMIT dhe marrëdhënies me të VËRTETËN.

    Migracioni në thelb është kontestim, është revoltë, është njohje dhe dalje nga çdo tendencë e NJERIUT  të vetizoluar....MIGRIMI tek e fundit është një vlerë nga vlerat më të mëdha të lirisë dhe pasurisë së njerëzimit.

     

    Nata e parë e Festivalit hapet me filmin “Zjarr në det” të regjizorit Gianfranco Rosi, fitues i Ariut të Artë në Festivalin e sivjetshëm të Berlinit. Po kështu, një numër filmash me çmime nëpër festivale të ndryshme të botës, përfshirë edhe çmimin OSKAR, do t’i krijojnë mundësinë publikut shqiptar të ballafaqohet me një peizash shumë të gjerë botëror që lidhet drejtpërdrejtë me fushën e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Mbetet prioritare për ne, fokusimi dhe përfshirja gjithnjë e më e madhe e të rinjve, të cilët do të gjejnë në subjektet që trajtojnë filmat, mjaft dilema që kanë të bëjnë jo vetëm me përdtishmërinë, por edhe me të ardhmen e jetës së tyre.

     

    Festivali do të fillojë në datën 26 Shtator 2016, ora 19:00 dhe do të përfundojë në datën 1 Tetor 2016.

     

    Programi i Festivalit do të fillojë shfaqjen e filmave çdo ditë në orën 17:00 në kinemanë e Akademisë së Filmit dhe Multimedias MARUBI dhe në sallën e Kinemasë së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

     

    Gjejmë rastin të shprehim falenderimet tona për mbështetjen financiare dhe logjistike të dhënë nga ana e Bashkisë së Tiranës.

     

    Gjithashtu, një falenderim i veçantë shkon edhe për Prezencën e OSBE-së në Tiranë.

     

    Për më tej, IHRFFA iu shpreh mirënjohjen e thellë institucioneve shqiptare si Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Arkiva Qendrore Shtetërore e Filmit, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Akademisë së Sigurisë, Shkollës së Magjistraturës, institucioneve dhe organizatave vendase dhe ndërkombëtare si Fondacionit Friedrich Ebert, Institutit Italian të Kulturës, GIZ-Albania, Utica College, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë - Soros, Instituti Shqiptar i Medias, Goethe Institut dhe Qendra e Gjermanishtes në Tiranë, Kompania Distributore CAT&docs, Ambasadës së Gjermanisë, Francës, Republikës Çeke, Austrisë, Mbretërisë së Danimarkës, Hollandeze, Izraelit, Zvicrës, Suedisë.

     

    Gjithashtu, një falenderim i sinqertë shkon edhe për sponsorët e Festivalit, konkretisht për sponsorët zyrtarë të tij SIGAL Uniqa Group Austria, DHL, Dajti Express, si edhe sponsorët e tjerë  Hotel Bermon, Albarent, Agna Group, Hotel Firenze dhe Backpacker Hostel.

  • Hapja / Opening - 26.09.2016

  • Forum 27.09.2016 - kuvendi i shqiperise

  • Day/dita 2 - Presentations 27.09.2016

  • Day/DITA 3 - 28.09.2016

  • Day/DITA 4 - 29.09.2016

  • Day/DITA 5 - FORUM - 30.09.2016

  • Day/DITA 5 - FILMS - 30.09.2016

  • Day/DITA 6 - CLOSING - 01.10.2016

2017 © IHRFFA. All Rights Reserved.  Legal Notice