HG

FOREWORDS 2016

  • THEODORE S. ORLIN

    PRESIDENT NDERI i IHRFFA

    Ky është edicioni i njëmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut që organizohet çdo vit në Sqipëri (IHRFFA).Vitin e kaluar kremtuam një dekadë suksesi, duke dëshmuar zhvillimin e një projekti që filloi thjesht në njëfarë mënyre në vitin 2006. Ashtu siç shumë tashmë e dinë, kjo përpjekje ishte rezultat i një bisede mes dy miqve, rreth asaj se ç’mund të bëhej më shumë për të përmirësuar më tej kuptimin dhe mbështetjen për të drejtat e njeriut në Shqipëri. Në fillimet e hershme, unë dhe Kujtim Çashku nuk mund ta imagjinonim se ky Festival do të hynte në dekadën e tij të dytë. Me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, institucioneve akademike, biznesit, qeverisë dhe popullit shqiptar Festivali është kthyer në një traditë të përvitshme. Një dekadë më parë, ne nuk mund ta parashikonim që Festivalit dhe themeluesve të tij do t’u njihej kontributi për kauzën e të drejtave të njeriut. Në maj të këtij viti pata nderin të lexoj në ceremoninë e diplomimit në Kolegjin Utica, citimin që përmblidhte arritjet e shumta të jetës profesionale të Kujtimit, që çuan në vendimin për t'i dhënë atij një doktoratë nderi, (honoris causa). Në këtë citim u vu në dukje themelimi dhe zhvillimi i Akademisë së Filmit Marubi, arritjet e tij kinematografike dhe shumë kontribute të tjera profesionale të tij në Shqipëri, në arsim dhe të drejtat e njeriut dhe jo më pak në krijimin dhe pjekurinë e IHRFFA-s. Rektor, Dr. Çashku nuk fle mbi dafina. Ai vazhdon të udhëheqë përpjekjet e Marubit për të krijuar një brez të ri kineastësh, përfshihet dhe udhëzon punën e tyre për të bërë filma të rinj dhe drejton planifikimin për këtë Festival Filmi për të Drejtat e Njeriut.

    Për t’u shënuar nga ana personale, këtë vit, pas më shumë se tridhjetë e tre vitesh shërbimi, dola zyrtarisht në pension nga Kolegji i Utica-s. Duke pasur nderin të vlerësohesha si Kryetar Katedre për Bursa për të Drejtat e Njeriut dhe Avokim (2005-2010) mua m’u dha mundësia të punoj në të gjithë globin me partnerë të të drejtave të njeriut për një çerek shekulli. Një nga arritjet e mia për të cilën jam krenar, është që të punoj me Dr. Çashkun, partnerët dhe stafin e tij, duke ndihmuar për krijimin e këtij Festivali. Shtatorin e kaluar, u nderova edhe më tej, kur m’u akordua nga Presidenti i Shqipërisë një medalje për Merita të Veçanta Qytetare "për kontribute për të drejtat e njeriut në Shqipëri, Kosovë e vise të tjera". Pa dyshim, ky vlerësim mbështetej pjesërisht në ndihmën time për ta themeluar këtë festival filmi. Prandaj është një nder i madh që të vazhdoj të shërbej si Kryetar Nderi i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri dhe për të hapur Edicionin e Njëmbëdhjetë të kësaj ngjarjeje.

    Të Drejtat e Njeriut, të sanksionuara në dokumente ndërkombëtare si Karta e OKB-së (1945) dhe Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut (1948) dhe shumë traktate dhe kushtetuta të komunitetit global, synojnë të mbrojnë dhe të nxitin respektimin universal të dinjitetit njerëzor. Përpjekja vazhdon të jetë e gjatë dhe e vështirë, shpesh me suksese të kufizuara. Edhe pse kemi qenë dëshmitarë nga afër të përfundimit të luftës së ftohtë, fundit formal të totalitarizmit Europian dhe lindjes së demokracive në të gjithë Europën lindore dhe qendrore, tashmë përballemi me sfida të shumta të reja dhe të tmerrshme; një luftë brutale civile në Siri së cilës nuk i shihet fundi rezulton në vdekje masive dhe shkatërrim, një krizë emigracioni përmasash të mëdha duke shkaktuar masa të tëra njerëzish të kërkojnë azil, duke rrezikuar vdekjen gjatë eksodit të tyre, prurjet masive të azilkërkuesve që i streson vendet pritëse dhe që destabilizojnë jetën civile, rritja e frikës nga sulmet terroriste në objektiva të pafajshëm në Lindjen e mesme, Francë, Turqi, SHBA, Azi dhe gjetkë. Për fat të keq në vitet e fundit vërejmë një dobësim të mëtejshëm të konsensusit ndërkombëtar për shekullin e njëzet e njëtë; ku Këshilli i Sigurimit të K.B.-së mbetet i bllokuar në shumë prej krizave të rëndësishme të paqes dhe sigurisë me të cilat përballemi në mënyrë reciproke. Në nivele vendore; gjendja e trafikimit të grave dhe fëmijëve, abuzimi i grave që nuk janë as të mbrojtura as u vihet në vend drejtësia, rritja e shqetësimeve shëndetësore që i mundojnë njerëzit në mbarë botën, problemet ekonomike të të papunëve dhe të të punësuarve me kohë të pjesshme, të gjitha këto tregojnë se rendi i ditës i të drejtave të njeriut është larg nga të qenit i përmbushur. Duke pasur parasysh të gjithë ata që u janë mohuar të drejtat, që kanë qenë të shpërfillur në kërkim të mirëqenies dhe dinjitetit të tyre, ç’moment tjetër më të volitshëm se ky i tashmi mund të kemi për t'u bërë bashkë duke ia përkushtuar veten komuniteteve tona, qeverive tona për realizimin e të drejtave të njeriut të cilat jemi “zotuar” t’i mbështesim. Qëllimi i këtij festivali është që të bashkojë popullin e Tiranës dhe Shqipërisë, komunitetin ndërkombëtar dhe përfaqësuesit e qeverisë për të kuptuar natyrën e të drejtave të njeriut dhe të kërkojë të gjejë mënyra të reja për realizimin e mëtejshëm të zotimeve të të drejtave të njeriut. Nëpërmjet artit të kinemasë shpesh mund të na jepet një perspektivë që nuk kemi mundur ta vlerësojmë nga faktet e ftohta që marrim nga lajmet. Tragjeditë, shpresat, guximi dhe këmbëngulja e viktimave dhe avokatëve mund të shihet përmes artit të realizuesve të filmave. Kjo përvojë e përbashkët do të na lejojë jo vetëm të kuptojmë natyrën e të drejtave të njeriut dhe shkeljet ndaj tyre, por na lejon të jemi të ndjeshëm ndaj gjendjes dhe sfidave të viktimave dhe atyre të angazhuar për të siguruar mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Filmi prek intelektin dhe zemrën dhe na lejon të vlerësojmë më mirë gjendjen e njeriut dhe sfidat që duhet të tregohen për të mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe të drejtat e të gjithëve. Shqiptarët, ashtu siç veprojnë të gjitha kombësitë e tjera, duhet të kuptojnë se ata nuk janë vetëm në përballimin e sfidave për realizimin e të drejtave të njeriut. Duke parë se shkeljet e të drejtave të njeriut janë globale dhe se të drejtat e njeriut kanë për qëllim të jenë universale, duhet të kuptohet se analiza, dhe angazhimi janë të nevojshëm për të arritur zotimet e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut dhe të instrumenteve të tjera të të drejtave të njeriut që Shqipëria i ka pranuar si detyrime ligjore. Filmi, siç ky festival dëshmon, është një medium i suksesshëm për të përmbushur këtë qëllim.

    Për ata që nuk janë të njohur me këtë Festival duhet të jenë të vetëdijshëm se aktivitetet e tij shkojnë përtej shfaqjes së filmave cilësorë. Ai është bërë me të vërtetë një kremtim i të drejtave të njeriut në një kontekst shumë më të gjerë. Shumë nga filmat paraqiten nga vetë regjisorët që, në shumë raste, kanë përshkuar distanca të gjata për të shpjeguar procesin e prodhimit të filmave dhe çështjet që lidhen me subjektin e filmit. Për më tepër, shumë avokatë ndërkombëtarë dhe vendorë të të drejtave të njeriut si dhe ekspertë marrin pjesë në diskutime që pasojnë filmat dhe ofrojnë një kuptim më të thellë të çështjeve të të drejtave të njeriut të portretizuar në ekran. Ky kontribut e angazhon publikun në një diskutim kuptimplotë për sa i përket problemeve që lidhen me zbatimin dhe realizimin e të drejtave të njeriut. Festivali është kthyer në një forum vjetor për kremtimin dhe diskutimin e agjendës së të drejtave të njeriut dhe rëndësinë e tyre për Shqipërinë dhe njerëzit e saj. Këtë vit IHRFFA do të shfaqë filma të rëndësishëm në katër vende të ndryshme përtej ekraneve të Marubit.

     

    Fokusi i edicionit të njëmbëdhjetë:

    Liria e lëvizjes (DUDNJ Neni, 13) -E drejta e azilit (DUDNJ Neni 14).

     

    Theksi i Festivalit të këtij viti është vënë mbi çështje që janë bashkëkohore, çështje që kanë dalë në plan të parë dhe shihen si pengesa kryesore për vlerat demokratike e të të drejtave të njeriut. Pa dyshim në vitet e fundit ne përballemi me një krizë azili në Europë dhe gjetkë me përmasa të mëdha. Shtrirja e kësaj krize nuk është parë që prej Luftës së Dytë Botërore dhe e tejkalon përvojën e Luftës së Ftohtë. Si mund të mos ndjejmë dhimbjen e fëmijëve që kërkojnë të shpëtojnë nga lufta, që vdesin gjatë eksodit të tyre, trupat e të cilëve janë gjetur në plazhe të humbura, larg prej shtëpive të tyre? Bota shpërndan në media sociale dhe lexon në lajme tragjeditë e të pafajshmëve që bien viktima të bombave dhe përvojave të hidhura të atyre që kërkojnë strehim. Ne jemi dëshmitarë të shteteve që refuzojnë të lejojnë azilkërkuesit dhe refugjatët të hyjnë në kufijtë e tyre në udhëtimet që ata kryejnë drejt shpëtimit. E pikërisht këto shtete, të cilët janë angazhuar ligjërisht për ligjin e të drejtave të njeriut dhe të cilët në të kaluarën e afërt kanë përjetuar dëshirën e njerëzve të tyre për t'u larguar, tashmë kërcënohen nga ajo që ata e perceptojnë si popuj të huaj që vënë në provë sigurinë, kulturat dhe mënyrat e tyre të jetesës. Frika në rritje e terrorizmit i shtohet vendimit të tyre për të mohuar të drejtat e këtyre popujve për të kërkuar jetë të tjera larg nga vatrat e tyre shekullore. Motivi i lashtë i mbrojtjes së "neve" prej "tyre" e largon opinionin publik dhe politikat publike nga angazhimet humane që ata kanë marrë para komunitetit ndërkombëtar.

     

    Ky fenomen nuk është vetëm një përvojë europiane, por është global në cilësi. Në Shtetet e Bashkuara ka shqetësime mes "morive" të shumta të supozuara të emigrantëve të Amerikës Latine që po mbizotërojnë në jetën tonë, duke sfiduar gjuhën dhe kulturën tonë dhe duke kërcënuar interesat tona ekonomike. Politikanët luajnë me këto frikëra duke bërë thirrje për ndërtimin e mureve dhe duke sugjeruar dëbime masive; duke e shpëtuar Amerikën nga elementë të huaj dhe kriminal që kanë kaluar çdo lloj mase, nga demagogë të cilët shohin përfitime politike duke u bazuar në frikërat e pabaza të njerëzve. Kjo për shumë njerëz, duke përfshirë edhe veten time, është në kundërshtim me thelbin e vlerave amerikane. Vendi historikisht i ka përshëndetur emigrantët, përfshirë vetë gjyshërit e mi, me një Statujë të Lirisë, duke u premtuar atyre strehë dhe një jetë më të mirë. Vitaliteti i Amerikës, ekonomia e saj, rruga e saj e jetës është e ndërtuar mbi themelet e emigrimit. Të hedhësh poshtë parimet e lirisë së lëvizjes, kërkimin e azilit dhe mirëseardhjen e emigrantëve të rinj, është në kundërshtim me parimet që i bënë Shtetet e Bashkuara një shoqëri të suksesshme pluraliste ku toleranca i linte vendin zhvillimit demokratik dhe shtimit të ideve të reja.

           Unë kam parë me sytë e mi një fenomen të ngjashëm në Azi, ku popujt e Assam-it, Indisë kishin qëndrime të ngjashme kundrejt refugjatëve nga Bangladeshi që kërkonin një jetë më të mirë larg nga vendi i tyre duke kërkuar një jetë në Indi. Më bëri përshtypje se si të njëjtat paragjykime për të cilat jemi dëshmitarë në Europë dhe Amerikën e Veriut ndikonin jetët e tyre.

    Ne duhet të kujtojmë se të Drejtat e Njeriut, si një detyrim ligjor kanë lindur nga përvojat e Luftës së Dytë Botërore, në veçanti nga reagimi ndaj tragjedisë së tmerrshme të Holokaustit, ku mbi dymbëdhjetë milionë viktima u vranë vetëm për shkak të fesë, racës, statusit etnik apo bindjeve politike të tyre. Nga ajo përvojë Karta e OKB-së (1945) i bëri të drejtat e njeriut një detyrim ligjor global dhe përcaktoi pranimin unik me anë të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut (DUDNJ, 1948). Përfshirja e mbrojtjes së të Drejtave Qytetare dhe Politike (Lirinë e Fesë, Shprehjes, Mbledhjes, Gjykimit të Rregullt, Ndalimin e Torturës, Skllavërisë, etj) është e garantuar së bashku me të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe (strehimit, shëndetësisë, arsimimit, reputacionit, martesës, familjes, etj), reflektonte çështjet globale dhe kritike të asaj kohe. Shqetësuese për hartuesit e DUDNJ-së ishte kriza e refugjatëve të pas luftës. Si e tillë, dy nene brenda Deklaratës kanë të bëjnë me krizën e atëhershme dhe problemeve të sotme të migrimit. Neni 14 1.; "Çdo njeri ka të drejtë të kërkojë dhe gëzojë në vende të tjera azil nga ndjekja penale" dhe neni 13 2.; "Gjithkush ka të drejtë të largohet nga cilido vend qoftë, përfshirë të vetin, si dhe të kthehet në vendin e tij".

     

    Duke i marrë parasysh këto probleme ne duhet të sjellim ndërmend se migrimi është po aq i vjetër sa edhe njerëzimi. Njerëzit kanë braktisur shtëpitë e tyre duke kërkuar mundësi të reja ose i kanë ikur fatkeqësive që prej fillimeve të hershme të kohës. Popujt autoktonë të Azisë që kaluan ngushticën e Beringut për t’u vendosur në Amerikën e Veriut, zulutë e Afrikës që shkuan në jug dhe e bënë Afrikën e Jugut shtëpinë e tyre, romët të cilët ka të ngjarë të kenë kaluar nga India për t’i bërë kombet e shumta të Europës shtëpi të tyre, popujt e Afrikës Veriore që kërkojnë strehim në Itali dhe Francë, shqiptarët që u larguan për në Itali dhe SHBA duke kërkuar mundësi ekonomike, etj. Njerëzit i kanë kaluar gjithmonë kufijtë shtetërorë, për një sërë arsyesh. Ne nuk mund të harrojmë, pavarësisht sesa e respektojmë sovranitetin e shteteve dhe vendeve tona, se njerëzit kanë lëvizur nëpër vende dhe kontinente për të kërkuar siguri, liri dhe mundësi. Në këtë ekonomi globale mund të parashikojmë se kjo lëvizje nuk do të pushojë.

    Le t’i shqyrtojmë këto dhe çështje të tjera të rëndësishme teksa i shikojmë këta filma në mënyrë që të mund të kërkojmë politika, praktika, mënyra të reja mbrojtjeje, në mënyrë që brezat e ardhshëm të mund të gëzojnë jetën me ndërgjegjësimin përfundimtar se respektimi universal i të drejtave të njeriut përfshin mbrojtjen e fëmijëve, bashkëshortëve, të moshuarve, të tjerë të rëndësishëm dhe veten tonë.

     

    Shtator 2016 Theodore S. Orlin - IHRFFA- President Nderi Clark Profesor i bursave për të Drejtat e Njeriut dhe Avokim (2005-2010) Emeritus, Utica College, New York, SHBA

     

     

    Shtator 2016

    Theodore S. Orlin – President Nderi i IHRFFA- s

    Clark Profesor i Bursave të të Drejtave të Njeriut dhe Avokatisë (2005-2010),

    Utica College, New York, SHBA

  • Robert wilton

    Kryetari i Bordit tË IHRFFA

    Filmi komunikon me ne dhe na frymëzon si asnjë media tjetër. Ai e bën realitetin të kuptueshëm ashtu si artikujt e gazetave dhe diskutimet akademike nuk mund ta bëjnë kurrë. Ai është dëshmitari i patëmetë, që i jep fuqi audiencës përmes dijes dhe evokon angazhim personal. Na tërheq vëmendjen dhe na çliron idetë. Festivali i përvitshëm Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri është mjeti efikas që ballafaqon paragjykimet, rrit ndërgjegjësimin dhe fton secilin prej nesh të mendojë për parimet dhe vlerat e veta dhe për mënyrën se si vepron lidhur me to.

     

    Tirana është vend i përsosur për këtë. Festivali po bëhet pjesë e identitetit unik të këtij qyteti, kurse karakteri i tij unik është pjesë e asaj çka e bën të veçantë Festivalin. Ata që e vizitojnë do të kenë mundësinë të shijojnë gumëzhimën e ngeshme e të gjallë të kafeneve dhe bulevardeve, si dhe atmosferën shumë të veçantë të Akademisë Marubi, nën pemë, mbrëmjeve të ngrohta, dhe burimin e pazëvendësueshëm që është Arkiva Qendrore Shtetërore e Filmit.

     

    Ky është njëkohësisht edhe një qytet hijesh, një qytet ku shumë njerëz e kanë shtypjen ende të gjallë në kujtesë. Shqipëria ka ende një bisedë të lënë përgjysmë mes vendit dhe së shkuarës së tij. Këtu bashkohen fuqishëm parimet e të drejtave të njeriut dhe shumë prej mënyrave në të cilat të drejtat mund të zbehen, të kërcënohen e të shkelen. Pikërisht për këtë arsye, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë beson kaq fort te ky festival dhe unë kam nderin të kryesoj bordin e tij. Filmi nuk është një përvojë pasive: nëse një film na bën për vete, ne mund të ndryshojmë dhe mund të jemi aktorë të ndryshimit.

     

    Çështja delikate e migracionit është kryefjala e këtij edicioni të 11të Festivalit. Migracioni paraqet sfida sa i takon sigurisë dhe stabilitetit, por hap në të njëjtën kohë edhe mundësi për një mirëkuptim të ri dhe për bashkëpunim rajonal. Duke bashkërenduar dhe duke miratuar politika gjithëpërfshirëse, vendet mund t’i menaxhojnë kufijtë në mënyrë efikase dhe të mbrojnë të drejtat e njerëzve që lëvizin. Në rajonin e OSBE-së, ne jemi të përkushtuar që të luftojmë diskriminimin, mungesën e tolerancës dhe ksenofobinë ndaj migrantëve dhe familjeve të tyre, të reagojmë me ndjeshmëri ndaj çështjeve gjinore, të mbrojmë të drejtat dhe dinjitetin e migrantëve dhe të luftojmë trafikimin e qenieve njerëzore. Nëse çështja e integrimit të migrantëve menaxhohet mirë në vendin pritës, kjo mund të pakësojë pengesat shoqërore dhe të kontribuojë pozitivisht në një ekonomi në rritje dhe një shoqëri të paqtë.

     

    Migracioni, sikurse filmi, është takim i botës me vetveten. Është një fenomen i pashmangshëm i kohës sonë dhe e vetmja gjë që kemi në dorë është sa pozitivisht reagojmë ndaj tij. Shpresoj që filmat e këtij viti të përcjellin rëndësinë e këtyre çështjeve dhe të nxisin diskutime për krijimin e shoqërive të paanshme dhe të qëndrueshme, të bazuara te rritja gjithëpërfshirëse, transparenca, shteti ligjor dhe të drejtat e njeriut.

    Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut është krijim i një ekipi të vogël, këmbëngulës dhe largpamës. Ai është, gjithashtu, krijim i dhjetëra prodhuesish filmash, ku gjithsecili shpreh këndvështrimin dhe pasionin e tij. Është krijimi i të gjithë atyre që e ndjekin, që shpenzojnë një orë duke dëgjuar e duke parë, që përfshihen në biseda dhe që nxiten t’u japin jetë ideve të reja.

     

     

    ROBERT WILTON

    ZV-Ambasador i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri

  • Erion Veliaj

    KRYETARI i BASHKISË SË TIRANËS

    Është shumë me vend që një temë e tillë të trajtohet pikërisht në Tiranë. Sepse Tirana është produkt i migrimit.

     

    Një qytezë e vogël në fillim të shekullit të njëzetë, e shpallur kryeqytet për një trill të historisë, u shndërrua papritur në destinacionin e shqiptarëve nga çdo anë e kënd i Shqipërisë. Ata erdhën këtu për të njëjtat arsye që i bëjnë njerëzit anembanë botës që të ngrihen një ditë, të lënë shtëpinë e tyre e të nisen drejt tokës së premtuar: dëshira për siguri, për t’iu larguar varfërisë e pamundësisë, kërkesa e parreshtur e qenieve njerëzore për një jetë më të mirë për veten e familjen.

     

    Tirana është Amerika e shqiptarëve. Nga afro 200 mijë banorë në fillim të viteve 1990, është sot shtëpia e afro 1 milion shqiptarëve. Kanë ardhur nga çdo cep, nga çdo fshat e qytet, nga jugu, veriu, lindja e perëndimi dhe e kanë lidhur fatin e tyre me këtë qytet. Dhe ende sot në Tiranë e pyesim njëri tjetrin nga je pavarësisht nëse kemi pak vjet apo disa breza që jetojmë në Tiranë. Një pyetje që nuk synon dasinë apo të na ndajë në vendali e të ardhur, por thekson një të vërtetë që e ndajmë pothuajse të gjithë: po të gërmosh në historinë e familjeve tona jemi të gjithë të ardhur.

     

    Futbollisti i madh Zinedin Zidane tregon diku se i ati i thoshte gjithnjë se një emigrant duhet të punojë dyfish më shumë se të tjerët e të mos dorëzohet kurrë. Tek kjo filozofi duhet kërkuar edhe energjia e madhe që ka sot Tirana, edhe fakti që Tirana është sot qendra e padiskutueshme e ekonomisë, kulturës, artit, politikës në hapësirën shqiptare.

     

    Historia e Tiranës dhe e shqiptarëve që kërkuan aty tokën e premtuar është në fakt historia e sa e sa vendeve e qyteteve e popujve. Është në histori e vjetër sa vetë njeriu. E studiuar deri në detaje në aspektin demografik, të sigurisë, ekonomisë, zhvillimit. Por shifrat e teoritë e thata nuk mund të ofrojnë kurrë ato dritare perceptimi që mund të ofrojë arti në sfidat, vështirësitë, dëshirat, frikërat e shpresat e dikujt që ndërmerr hapin e madh, por traumatik të lënies së gjithçkaje ka njohur për t’u nisur drejt një të ardhmeje që bart në vetvete sa shpresën aq edhe pasigurinë për atë që do të vijë. Vetëm arti ka atë aftësinë unike për të parë detaje, momente e lidhje që shkenca e statistika s’mund të shpresojë kurrë t’i kapë. Për të kapur frymën dhe shpirtin e një kohe.

     

    Bashkia e Tiranës është krenare për mbështetjen dhe bashkëpunimin me Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut dhe Akademinë e Filmit e Multimedias “Marubi”, e cila është kthyer tashmë në një institucion të artit e kulturës shqiptare.

     

    Ne jemi të vendosur të mbështesim çdo nismë që e vendos Tiranën në hartën e aktiviteteve kulturore e artistike prestigjoze si ky festival. Ashtu siç jemi të vendosur që të mbështesim zhvillimin e artit e kulturës në kryeqytet duke bashkëpunuar apo financuar artistë apo organizata kulturore e artistike.

     

    Kjo nuk është një ambicie personale, por një nevojë e një qyteti i cili ka filluar dalëngadalë të marrë trajtat e një metropoli dhe që ka nevojë për artin e kulturën si dy elementë pa të cilat një qytet nuk e meriton të quhet i tillë.

     

    Kryetari i Bashkisë së Tiranës

    Erion Veliaj

  • KUJTIM çASHKU
    DREJTOR EKZEKUTIV I IHRFFA

    Në këtë edicion të 11 të IHRFFA, prej më shumë se 2300 filmave të ardhur nga e gjithë bota, kemi zgjedhur vetëm 45 prej tyre.

     

    Si kriter parësor të kësaj zgjedhje, kemi patur cilësinë e lartë të filmave, problematikat shoqërore që ato trajtojnë, të cilat jo rrallë herë përkojnë me shqetësimet që ka shoqëria jonë.

     

    IHRFFA është një festival me karakter tematik. Këtë vit një pjesë e filmave kanë si temë qëndrore migracionin dhe kompleksitetin që mbart ky fenomen në rang global dhe lokal.

     

    Studiues të ndryshëm thonë se historia e njerëzimit është histori e lëvizjes dhe shtegëtimit të popujve drejt civilizimeve të ndryshme në raport me atë që ata e konsiderojnë si më të mirën e më të begatën për jetën e tyre.

     

    Madje, ka nga ata që argumentojnë se dhe pushtimet, luftrat dhe krimet,  janë kryer në emër të së mires, pa u kuptuar se e mira e një pale është bërë tragjedia e një pale tjetër.

     

    Njeriu në thelb është shtegtar i përjetshëm drejt së panjohurës.

     

    Duket sikur në këtë shtegtim të përjetshëm, atij diçka i mungon. Diçka që lidhet mbase me një gabim fillestar. Diçka që e ka humbur, e tashmë nuk ka më kohë as për t’u kthyer t’a gjetur ose ndrequr.

     

    Duket sikur ai ka një pengesë historike, e cila lidhet me mundësinë e  fenomenit të pranimit të tjetrës si hapësirë lirie e pranimit të vetes tek tjetri dhe tjetrës tek vetja.

     

    Bota jonë e kushtëzuar materialisht, është e ndarë në shumë mure, kufinj, raca, etni, nacionalizma, fetishe, mite historike dhe idolatri e blasfemi pushtetesh, të cilat nuk e lejojnë shtegtarin NJERI të gëzojë hapësirat e vërteta të lirisë.

     

    Në botën tonë globale, hapësira e lirisë po shtohet si vlerë virtuale, madje me një shpejtësi marramendëse. Nga ana tjetër, shtegtari NJERI po ndjehet gjithnjë e më i izoluar fizikisht e psigjikisht.

     

    Filmat e këtij edicioni paraqesin një varg dilemash e refleksionesh, të  cilat lidhen me shekullin e XXI.  Ato sjellin dëshmi rrënqethëse, të cilat nuk janë larg nesh, larg familjeve tona, vendit, fqinjëve apo kontinetit tonë.

     

    Deti mesdhe i quajtur deri dje, djep i qytetërimeve të herëshme, sot është varri më monstruoz i shekullit XXI. Qindra mijërave fëmijë, gra e burra, që kërkojnë lirinë e tyre të munguar e të mohuar, humbin jetën duke shtegëtuar drejt tokës së premtuar Europiane.

     

    Prej dëshmive të filmave  kuptojmë se bota është në një luftë të pa cilësuar si të tillë.  Viktimat e saj,  mbase janë më të shumta  se ato të luftës dytë botërore të shekullit XX.

     

    Miliona njerëz vdesin nga industria shfarrosëse e armëve të luftës në emër të paqes.

     

    Tiranët e këtij shekulli, blejnë e prodhojnë armë të sofistikuara për të mbajtur në këmbë regjimet e tyre dhe popujt nën zgjedhë,

     

    Milona njerëz, po vdesin nga uria dhe pse nën toka dhe mbi toka e tyre është plot burime natyrore nga më të pasurat në botë.

     

    Miliona  njerëz po shtypen nga diktatorë, që përdorin si armë nështrimi e manipulimi, varfërinë dhe injorancën e njerëzve. Sot, demagogjitë fetare fondamentaliste dhe fantazmat ekstreme nacionaliste të së shkuarës, kanë një shpërthim të pa parë.

     

    Problemi është se, sot brenda një sekonde të vetme, ne mund të mësojmë një të vërtetë të madhe apo një krim të ndodhur në çdo skaj të botës,  në Siri, Irak, Afganistan, Iran apo Sudan, dhe po në atë sekondë, ai krim dhe ajo e vërtetë është fshirë e shuar në përditshmërinë e vulgaritetit të harresës. Kjo ndodh, me anë të një strategjie mjaft të sofistikuar të bombardimit të butë trurit dhe mbajtjes së tij nën kontrolli përmes një statusi efemerist ditor.

     

    Në këtë përditshmëri, individi duket si somnabul që ecën jashtë realitetit që e rrethon duke e zëvendësuar dëshirën e kthimi Uliksian, me braktisjen nostalgjike të rrënjës. Kjo braktisja është e pranueshme, kur ajo nuk e fshin tërësisht ndjenjën humane sikurse ajo është e kërcënuar sot.

     

    Sot, më shumë se kurrë janë vënë në pikëpyetje një sërë vlerash morale dhe etike. Këto vlera lidhen ngushtë me ndjesitë e  SHPRESËS, BESIMIT dhe marrëdhënies me të VËRTETËN.

     

    Këto vlera si kushte humane të lirisë dhe të paqes, përbëjnë në vcetvete reciprocitetin e komunikimit,  të përgjegjësive ndaj vetes dhe tjetrit.

    Këto vlera janë goditur rëndë, madje pikërisht në rrugën pa kthim të memorjes duke e zëvëndësuar njohjen me zbavitjen e NJERIUT, centrifugal e të vetëizoluar.

     

    Migracioni në thelb është kontestim, është revoltë, është njohje dhe dalje nga çdo tendencë e NJERIUT  të vetizoluar.

     

    MIGRIMI tek e fundit është një vlerë nga vlerat më të mëdha të lirisë dhe pasurisë së njerëzimit.

     

    Kujtim Çashku

    Drejtor Ekzekutiv IHRFFA

2017 © IHRFFA. All Rights Reserved.  Legal Notice