Konferenca për shtyp e mbajtur të Premten, 17 Shtator, ora 11, në kopshtin e Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi.
Nga e hëna e 20 shtatorit deri të shtunën, 25 shtator 2021 do të zhvillohet Edicioni i Gjashtëmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri IHRFFA (www.ihrffa.net) një nga ngjarjet më të rëndësishme social-kulturore që zhvillohen në Shqipëri.
Këtë vit, tematika qendrore e Festivalit ka të bëjë me fenomenin e pandemisë Covid-19, me traumat dhe post-traumat, që janë shkaktuar kryesisht te gratë dhe fëmijët. Gjithashtu, nisur edhe nga konteksti i krijuar së fundmi me ardhjen për një strehim të përkohshëm të refugjatëve afganë në Shqipëri, do të shfaqen edhe filma që lidhen me individë apo artistë, që gjenden nën kërcënimin e regjimit aktual taleban në Afganistan.
Në këtë edicion, janë përzgjedhur 34 filma për t’u shfaqur për publikun, prej 3500 aplikimeve të ardhura në adresë të IHRFFA-së.
Çelja e Festivalit zhvillohet të hënën, ora 19.00 me ceremoninë e hapjes dhe shfaqjen e filmit të parë me praninë e regjisorëve dhe të ftuarve të shumtë, duke nisur shtegtimin intensiv 6-ditor për të parë filma e produksione të viteve të fundit dhe që shfaqen për herë të parë për publikun shqiptar.
Përveç Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi, filmat do të shfaqen edhe tek Lulishtja pranë Kryeministrisë.
Hyrja është pa pagesë dhe filmat janë subtitruar në Shqip dhe në Anglisht.