Konferencë për Shtyp

Konferenca për shtyp e mbajtur të Premten, 16 Shtator, ora 10:30, në kopshtin e Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi.

Nga e hëna e 19 shtatorit deri të shtunën, 24 shtator 2022 do të zhvillohet Edicioni i Shtatëmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri IHRFFA, një nga ngjarjet më të rëndësishme social-kulturore që po zhvillohet në Shqipëri.
“Rinia dhe të drejtat e njeriut” janë në fokusin e këtij edicioni të festivalit pikërisht në Tiranën e shpallur si Kryeqyteti Evropian i Rinisë për vitin 2022. Një temë e kufizuar në dukje për një festival ndërkombëtar të filmit për të drejtat e njeriut, në raport me principet universale dhe të pa parcelizuara të deklaratës universale të të drejtave të njeriut.
Përzgjedhja e 37 filmave nga 3200 aplikime të ardhura nga e gjithë bota, është konsideruar i rëndësishëm nga ana jonë, për vetë dinamikën e epokës dixhitale që po jetojmë ku më së shumti në përqindje popullate përfshihet rinia me një hapësirë dhe format të ri Komunikimi, Formimi dhe Informimi.

Një dedikim të veçantë në këtë edicion, i kemi kushtuar luftës në Ukrainë.
I rikthehemi kësaj tragjedie të shekullit të XXI pas 4 vitesh kur në edicionin e 13-të i kushtuam një dedikim lirimit nga burgjet ruse të regjisorit Ukrainas Oleg Sentsov.

Lufta në Ukrainë e zgjoi botën nga gjumi duke na treguar të gjithëve se bota nuk ka shpëtuar nga demonët e së shkuarës dhe se ajo nuk është larg shtëpisë të askujt dhe si e tillë e bën gjithnjë e më të pasigurtë paqen dhe lirinë e merituar të çdo individi në çdo qoshe të botës ku ai ndodhet.

Lufta në Ukrainë na mëson se paqja dhe liria nuk janë një dhuratë për askënd por duhen mbrojtur duke luftuar për to çdo ditë.

Çdo fëmijë i vrarë, çdo grua e vajzë, çdo nënë e baba, gjyshe e gjysh që vriten atje duhen konsideruar se i përkasin secilit nga ne.

Nuk mund të kemi paqe e liri duke soditur nga larg zjarrin dhe bombat që bien atje larg shtëpive tona. Ndryshe një ditë, më shumë herët sesa vonë, ai zjarr do të na përpijë të tërëve.

Çelja e Festivalit zhvillohet të hënën, ora 19.00 me ceremoninë e hapjes dhe shfaqjen e filmit të parë me praninë e regjisorëve dhe të ftuarve të shumtë, duke nisur shtegtimin intensiv 6-ditor për të parë filma e produksione të viteve të fundit dhe që shfaqen për herë të parë për publikun shqiptar.
Përveç Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi, filmat do të shfaqen edhe në kopshtin pranë Kryeministrisë, Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe kinemanë Maks Velo në Laprakë.

Hyrja është pa pagesë dhe filmat janë subtitruar në Shqip dhe në Anglisht.

Kur

16 Shtator 2022, 10:35

Ku

Kopshti i Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi

Lajme të tjera