Nis të hënën në Tiranë edicioni i 18-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut organizuar nga Akademia e Filmit dhe Multimedias "Marubi".
49 filma do të shfaqen në datat 18 deri 23 shtator në kinemanë e Marubit si edhe në institucione të tjera si Parlamenti i Shqipërisë, Autoriteti i Dosjeve, Akademia e Policisë, Shkolla e Magjistraturës, kinema "Maks Velo" Laprakë, Qendra për Hapje dhe Dialog në Kryeministri, Universiteti Polis.
Filmat lidhen drejtpërdrejt me temën e këtij edicioni "E Vërteta, Pandëshkueshmëria dhe të Drejtat e Njeriut”.
Kosova, Ukraina, Izraeli, Italia, Rusia, Palestina, Hungaria, Gjermania, Uganda etj janë shtetet ku shtrihet harta e filmave të këtij edicioni dhe gjuhët e tyre, duke sjellë raste të ndëshkimit e mosndëshkimit përmes dokumentarëve dhe filmave artistikë.
Gjyqe ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit, metodat e eleminimit të kundërshtarëve politikë në sistemet komuniste, privimi nga e drejta e punës për gratë, trajtimi dhe tortura ndaj shqiptarëve në burgjet serbe, qyteti nën komandën e mafias, etj janë disa prej tematikave të trajtuara në filmat e këtij edicioni.
Në konferencën e sotme për mediat, themeluesi dhe Drejtor Ekzekutiv i Festivalit Kujtim Çashku, dhe programatore artistike Magali Çashku ndanë me gazetarët më shumë detaje.